Deputeti i Partisë Demokratike dhe Nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Klevis Balliu, ka komentuar hetimet e fundit të SPAK mbi pastrimin e parave më sektorin e ndërtimit, ku thotë se kanë vërtetuar denoncimet e vazhdueshme të opozitës për lidhjet mes krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe bumit të kullave në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, Balliu theksoi se Partia Demokratike ka denoncuar prej 14 vitesh përdorimin e sektorit të ndërtimit si mekanizëm për pastrimin e parave të drogës, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka refuzuar sistematikisht të japë llogari për këtë çështje.

“Pak javë më parë kërkova në emër të opozitës interpelancë me Edi Ramën për pastrimin e parave në ndërtim. Kjo kërkesë u refuzua. Po ashtu, në cilësinë e Nënkryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kërkova një seancë dëgjimore me Kryeministrin, por ai refuzoi të paraqitet. Rama nuk jep shpjegime sepse ka frikë nga faktet”-, deklaroi Balliu.

Deputeti demokrat tha se raportet ndërkombëtare prej vitesh e kanë identifikuar ndërtimin si një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave të krimit të organizuar, ndërsa theksoi se hetimet e fundit të SPAK kanë nxjerrë në pah qindra milionë euro të dyshuara si para të pista të investuara në pasuri të paluajtshme. Sipas Balliut, çdo hetim serioz duhet të shkojë përtej trafikantëve dhe biznesmenëve të përfshirë.

“Nuk mund të hetohen vetëm trafikantët dhe biznesmenët, ndërsa të mos pyetet personi që ka drejtuar institucionin që ka dhënë lejet për këto projekte. Asnjë kullë nuk ndërtohet pa leje. Asnjë projekt strategjik nuk miratohet pa vendimmarrje politike. Prandaj, është e pamundur të ketë një hetim serioz pa u marrë në pyetje Edi Rama”-, u shpreh ai.

Balliu theksoi se Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i kryesuar nga Kryeministri, ka pasur rolin vendimtar në miratimin e projekteve më të mëdha të ndërtimit në vend.

“Askush nuk mund të pastrojë qindra milionë euro në kulla shumëkatëshe pa mbështetje politike. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk mund të ndalet tek hallkat e fundit të zinxhirit. Ajo duhet të shkojë deri tek maja e piramidës së pushtetit”-, deklaroi ai.

Në përfundim, Balliu i bëri thirrje SPAK-ut dhe institucioneve ligjzbatuese të mos kufizojnë hetimet vetëm tek ekzekutorët e skemës, por të hetojnë edhe përgjegjësinë politike.

“Shqipëria nuk ka nevojë për spektakël. Shqipëria ka nevojë për drejtësi. Nëse SPAK kërkon të zbardhë të vërtetën, duhet të ndjekë provat deri në fund dhe të hetojë edhe Edi Ramën”-, përfundoi Balliu./ Top Channel