Komisioni parlamentar i pavarur ka arritur në konkluzionin se nuk janë marrë masat e duhura parandaluese


Ish-kryeministri japonez, Naoto Kan, gjatë një seance dëgjimore në komisionin parlamentar


Incidenti nuklear në Fukushima u shkaktua nga një gabim njerëzor, e jo vetëm nga tërmeti dhe cunami që goditi Japoninë në 11 mars të vitit 2011. Ky ka qenë konkluzioni i hetimit të komisionit parlamentar të ngritur për incidentin nuklear më të rëndë në histori pas Çermobilit.


Akuzat nuk u janë drejtuar teknikëve të centralit, por gjithë  hallkave të sistemit të sigurisë: “Është e qartë se kjo katastrofë është shkaktuar nga njeriu. Qeveritë, autoritetet dhe Tepco nuk kanë treguar përgjegjshmëri për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe shoqërinë”,- thuhet në raport. Komisioni flet edhe për një qark të shkurtër “mes qeverisë, autoriteteve dhe Tepco” për “mungesën e bashkëpunimit mes tyre”.


Në të vërtetë, thonë komisionerët, në 11 mars të vitit 2011 “centrali nuklear i Fukushimës ishte në kushte vulnerabile, të cilat nuk garantonin përballimin e tërmetit dhe cunamit. Pavarësisht se kishin mundësi të merrnin masat e duhura, autoritet rregullatore dhe Tepco, qëllimisht kanë shtyrë vendimin, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë mbrojtëse”.


Më tej në raport thuhet se reagimi i qeverisë japoneze ndaj krizës së Fukushimës është për tu konsideruar i dyshimtë: “ndërhyrja direkte” e kryeministrit të atëhershëm, Naoto Kan e të tjerëve, mbi çështjen që u duhej lënë ekspertëve të Tepco, ka krijuar “konfuzion në zinxhirin komandues” dhe “ka sjellë humbje kohe”.


Komisioni parlamentar i pavarur përbëhej nga 10 persona dhe drejtohet nga Kiyoshi Kurokawa, profesor i Universitetit të Tokios.


5 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)