Videot intime të regjistruara nga kamerat e sigurisë në ambientet ku kompozitori Adrian Hila ka pasur takime intime me artiste të ndryshme vijojnë të qarkullojnë dhe të publikohen në faqe pornografike.
Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Tiranës ende nuk kanë mundur të përcaktojnë se kush qëndron pas nxjerrjes dhe shpërndarjes së materialeve të regjistruara nga kamerat e sigurisë.
Në kuadër të hetimeve, Sektori për Krimin Kibernetik në Policinë e Tiranës ka marrë këtë të martë në pyetje edhe tre vajza të tjera, të cilat shfaqen në videot e bëra publike.
Sipas burimeve, edhe ato kanë dhënë deklarime lidhur me marrëdhënien që kanë pasur me kompozitorin, ndërsa përgjegjësinë për publikimin e pamjeve e kanë orientuar edhe drejt personave të tjerë që dyshohet se kanë shpërndarë apo komentuar materialet intime.
Deri më tani, hetuesit po përpiqen të zbardhin zinxhirin e plotë të ngjarjes, nga regjistrimi i pamjeve me kamera sigurie deri te nxjerrja dhe publikimi i tyre në internet.
Për rastin, Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurori për hetim lidhur me disa vepra penale, ndër to “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve dhe ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave që kanë pasur akses te pamjet dhe mënyrën se si ato kanë përfunduar në faqe të ndryshme online.
