Tiranë


Klajdi Gjeçi ishte një nga të dyshuarit edhe për atentatin ndaj nëndrejtorit të policisë


Shoku i Emiljano Shullazit, i cili është arrestuar bashkë me të edhe më parë dhe si një ndër të dyshuarit për vendosjen e eksplozivit në banesën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Klajdi Gjeçi, ka rënë sërish në prangat e policisë, ndërkohë që ndaj tij vazhdonte gjykimi për një plagosje të kryer në zonën e ish-Bllokut. Këtë herë, ai është kapur me dy kg kanabis, bashkë me katër të njohur të tij, të cilët ishin duke e paketuar për shitje me pakicë. Operacioni për arrestimin e grupit, që mendohet se drejtohej nga shoku i Shullazit është kryer dy net më parë, ku janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, si bashkëpunëtorë të tij.


Zbulimi i drogës


Policia e kryeqytetit deklaroi zyrtarisht se nga Komisariati Nr. 2, në bashkëpunim me seksionin e antidrogës u realizua operacioni “Party”, duke sjellë arrestimin e pesë personave. “Në pranga përfunduan Klajdi Ndue Gjeçi, 24 vjeç, aktualisht në gjykim për një tentativë vrasjeje; K. Luçi, 17 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve; K. M, 16 vjeç, i proceduar më parë për prodhim e shitje të narkotikëve; Mateo Xherahu, 18 vjeç, i dënuar më parë për prodhim e shitje të narkotikëve dhe Bruno Llapaj, 22 vjeç”, deklaroi policia e Tiranës. Sipas të dhënave, arrestimi i tyre u bë sepse në rrugën “Sami Frashëri”, në ambientet e brendshme të një lokali me lotari sportive, ata u kapën në flagrancë, duke paketuar me qese transparente lëndë narkotike të llojit kanabis, me peshë dy kg. Lëndë ishte e ndarë në 150 doza, e gatshme për shitje. Gjatë hetimit në ngarkim të tyre ka rezultuar se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin dhe shpërndanin lëndë narkotike kryesisht në zonën e ish-Bllokut, ku katër nga pesë personat e arrestuar, janë proceduar disa herë, po për këtë vepër penale.


Shoku i Shullazit


Ndërkaq, nga grupi hetimor mësohet se grupi drejtohej nga Klajdi Gjeçi, i cili ka qenë i arrestuar edhe më parë për lëndë narkotike, ndërkohë që është në gjykim për një tentativë vrasjeje në zonën e ish-Bllokut. Burimet policore shpjeguan se më 8 maj 2011, pikërisht ditën e zgjedhjeve, ai është arrestuar bashkë me Emiljano Shullazin, një person, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë nga policia e kryeqytetit. Në atë operacion, i realizuar nga strukturat kundër krimeve të rënda u arrestuan 12 persona. Ata u kapën në afërsi të Liqenit të Thatë në Komunën Farkë të Tiranës, duke qarkulluar me dy automjete. Pas një kontrolli të ushtruar në automjetin e blinduar të tipit “Mercedes Benz”, me targa TR 4018 J, mjet që drejtohej nga Emiljano Shullazi, i cili ishte i veshur me jelek antiplumb, u gjetën dhe u sekuestruan tri pistoleta, tri radio policie, dy thika dhe një sasi lënde narkotike. Por, historia e Klajdi Gjeçit nuk mbyllet me kaq. Në banesën e tij u ushtrua kontroll pas atentatit ndaj zëvendësdrejtorit të policisë së Tiranës, Dorian Muça, të cilit iu vendos eksploziv në banesë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz. Kontrolli i banesës u krye për faktin se Gjeçi ishte një ndër të dyshuarit për vendosjen e eksplozivit. Kjo e fundit nuk iu vërtetua asnjëherë, megjithëse u arrestua për armëmbajtje pa leje, pasi në banesë iu gjet një armë. Por, edhe kjo akuzë u hodh poshtë. Gjithashtu, Klajdi Gjeçi gjykohet për vrasje të mbetur në tentativë. Në gusht të vitit 2010, ai u dyshua se plagosi një të ri në një lokal bastesh sportive në zonën e ish-Bllokut. Në atë kohë u tha se ishte përplasje mes dy grupeve të rinjsh.