Durrës – Një 15-vjeçare nga Durrësi ka gjetur vdekjen pasi është hedhur nga kati i katërt i një pallati shumëkatësh, që ndodhet pranë shtëpisë së gjyshes ku ajo jetonte. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së shtunës në lagjen nr. 6 të qytetit bregdetar, aty ku më parë ndodhej ish-rajoni i policisë së Durrësit dhe sot ngrihet një godinë banimi. Ledina Sura, 15 vjeçe, pas ngritjes nga gjumi ka dalë nga shtëpia e gjyshes, një shtëpi dykatëshe, dhe është ngjitur në katin e katërt të pallatit në krahun tjetër të rrugës, që është e vetmja godinë shumëkatëshe aty pranë. Nuk dihet se çfarë e ka shtyrë të renë të ndërmarrë këtë vendim, as rrethanat e ngjarjes, por 15-vjeçarja ka rënë nga kati i katërt i pallatit. Trupi është përplasur fillimisht në një nga automjetet e parkuara poshtë pallatit dhe më pas në trotuar, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Ndonëse është dërguar me shpejtësi në spital, vajza nuk ka mundur të mbijetojë. Pas divorcit të prindërve, vajza jetonte me të ëmën dhe nga dëshmitë e marra paraprakisht nuk rezulton që viktima të ketë pasur ndonjë konflikt në familje, apo të ketë shfaqur shqetësime. Familjarët mësohet të kenë deklaruar se natën e kaluar ka rënë qetësisht në gjumë dhe mëngjesin e kaluar janë përballur me fatkeqësinë. Pista kryesore e hetimit është ajo e vetëvrasjes, megjithatë grupi hetimor do t’i rikthehet marrjes së dëshmive të familjarëve të viktimës, si dhe personave të tjerë nga shoqëria e saj. Duke iu referuar ekspertizës mjekoligjore, Policia e Durrësit ka përjashtuar ndonjë shtatzëni të mundshme të vajzës, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe motivet e saj. V. Qyrfyçi