Në pranga katër persona. Shtëmbari, nga akuzat për vrasje, tashmë për trafik narkotikësh
Katër persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “Hidra” është ekzekutuar nga Policia e Vlorës, e cila ka sekuestruar 95 kilogramë hashash, një skaf dhe tre automjete. Në pranga kanë përfunduar skafisti Mario Gjata, dy vëllezërit Artur e Artjol Haxhiaj dhe Arben Shtëmbari. “Më datë 24.05.2012 rreth orës 12:00 nga Qendra Ndër-Operacionale Durrës është marrë informacion se një mjet lundrues i dyshimtë po afrohej nga territori italian për në brigjet shqiptare në zonën e Himarës me një shpejtësi 7 milje në orë. Policia, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka shkuar në gjirin e Himarës duke alternuar shërbimet operacionale detare dhe tokësore me mbështetjen edhe të Guardia di Fiananza. Nga veprimet e menjëhershme të kryera në territorin e Jalës është arritur të konstatohet dhe të kapet një mjet lundrues tip Skaf rreth 7 metra me motor të fuqishëm 225 KWA, i cili ishte braktisur. Nga ndjekja dhe kërkimet e mëtejshme që janë kryer në territorin përreth është arritur të bëhet kapja e drejtuesit të skafit”, pohon policia e Vlorës.
Sipas saj, si rezultat i një hetimi 4-mujor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për një grup kriminal me tendencën e trafikut të lëndëve narkotike në lidhje me këtë rast është arritur të identifikohen në një kohë rekord dhe të bëhet arrestimi në flagrancë i katër personave. Mësohet se Mario Gjata, 37 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë, ishte personi që kishte sjellë skafin nga Italia në brigjet shqiptare për të ngarkuar lëndën narkotike, e cila do i dërgohej një organizate kriminale italo-shqiptare në Itali.
Ndërkohë, Artur Haxhiaj, 26 vjeç, banues në Himarë, dhe Artjol Haxhiaj, 31 vjeç, banues në Himarë, të cilët ishin personat që siguronin lëndën narkotike dhe bënin transportin e saj nga zona e Gjirokastrës dhe Vlorës për në bregdet për llogari të një organizate italo-shqiptare, pjesë e të cilës ishin edhe ata vetë. Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon se Arben Shtëmbari me gjeneralitete të ndryshuara në Ilia Prendi, 43 vjeç, banues në Vlorë, i cili nga hetimet 4-mujore ka rezultuar se ishte organizatori i këtij grupi kriminal me tendencën e trafikut të lëndëve narkotike.
“Gjithashtu, në kuadër të hetimeve të procedimit penal Nr. 22 të muajit shkurt 2012 të Prokurorisë për Krimet Rënda me prokuror z. Anton Martini ka rezultuar se shtetasi Arben Shtëmbari është edhe organizator edhe i trafikimit të sasisë prej 550 kg lëndë narkotike të trafikuar më datë 22 prill 2012 në Itali ku janë arrestuar shtetasit Krenar Dulellari dhe Renato Xhoxhaj falë hetime të përbashkëta edhe me autoritetet italiane. Po ashtu, shtetasi Arben Shtëmbari është autor i një rasti gjobëvënie të ndodhur në prill 2012 në dëm të shtetasit D. B., në qytetin e Vlorës, hetim ky i Prokurorisë për Krimet e Rënda. Hetimet janë kryer në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane, pasi grupi kriminal në fjalë dyshohet edhe për disa raste të tjera trafikimi ku janë të përfshirë shtetas shqiptarë në kuadër të një hetimi të një organizate kriminale italo-shqiptare”, pohojnë burimet nga Policia e Shtetit. Sipas saj, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 95 kg lëndë narkotike, një gomone me një motor të fuqishëm, 3 automjete dhe 9 bidonë 30 kg të mbushur me benzinë.
Ndërkohë, organizatori i këtij rrjeti trafiku Arben Shtëmbari, është liruar para disa muajsh me vendim të Gjykatës së Lartë. Ai akuzohej për akuzën e vrasjes ndaj një shtetasi në Vlorë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit në Vlorë e kishin dënuar me 25 vite burg, ndërsa vendimit i është bërë rekurs në Gjykatën Supreme, e cila vendosi ta dënojë vetëm për armëmbajtje pa leje. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë pas lirimit, Shtëmbari është marrë me aktivitet kriminal, kryesisht me gjobëvënie dhe trafik narkotikësh, madje kishte organizuar dhjetëra persona për t’i “gjetur” punë. Pas zbardhjes së këtij aktiviteti, burimet nga Krimet e Rënda pohojnë se po punojnë për zbardhjen e ngjarjeve të tjera ku është i përfshirë ky person. S.Çobo/M.Marsi

