Qirinj e lule në rrugën ku ndodhi aksidenti tragjik
Një ditë pas emergjencës, himarjotët janë mbledhur dje në grykën e Vishës, për të nderuar viktimat e aksidentit tragjik të së hënës dhe për t’u lutur për shërim të shpejtë të të mbijetuarve.
Nën drejtimin e dy priftërinjve ortodoksë dhe të krerëve të institucioneve vendore, qindra banorë të Himarës, të të gjitha moshave, u mblodhën në kthesën ku ra autobusi i ekspeditës së Universitetit të Elbasanit. Shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme të qytetit reduktuan orët e mësimit, për t’u dhënë mundësi nxënësve e mësuesve t’u bashkoheshin homazheve në vendin e tragjedisë, rreth një kilometër në veri të qendrës së qytetit.
Qindra himarjotëve iu bashkuan edhe dhjetëra shoferë e udhëtarë që kalonin dje në rrugën nacionale Vlorë-Himarë.
Në vendin ku autobusi doli nga rruga u ndezën qirinj dhe u vendosën lule. Dy priftërinjtë kryen një ceremoni përshpirtjeje për 13 viktimat e aksidentit dhe u lutën për shërim të shpejtë të të mbijetuarve.
Për gati një orë, rruga nacionale u bllokua për shkak të homazheve masive, ku shumë pjesëmarrës mbanin në duar edhe pankarta, për të shprehur ngushëllime dhe solidaritet me familjet e viktimave dhe të plagosurve në këtë aksident të rëndë.
Në disa nga pankartat shkruhej: “Ne si nëna himarjote jemi së bashku në hidhërimin tuaj”, “Ju mësueset e reja, do të jetoni në përjetësi” etj.
Nënat himarjote janë përkulur të gjitha në gjunjë dhe kanë ndezur qindra qirinj dhe kanë qëndruar të përlotura e me lutje për jetët e shpëtuara. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, ka qenë gjithë kohës në vendngjarje, si dhe ka inkurajuar forcat e rendit dhe ka marrë pjesë së bashku me qytetarët në këto homazhe në nderim të viktimave.
Njerëzit kanë qëndruar me orë në zonën ku ndodhi aksidenti, por nuk kanë gjetur asnjë fjalë për të thënë, por në heshtje të plotë kanë bërë homazhet e rastit, si dhe janë lutur për shërim sa më të shpejtë të studenteve të plagosura.
Të hënën pasdite, dhjetëra banorë të Himarës u dhanë ndihmën e parë pasagjerëve të autobusit që ra nga një lartësi rreth 60 metra në përroin e Vishës. Për tri orë me radhë, i gjithë qyteti i vogël u vu në lëvizje për të ndihmuar të plagosurit që për shkak të afërsisë u dërguan fillimisht në qendrën shëndetësore të Himarës.
M.Marsi
