Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike po shqyrton projektligjin “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit”, të bërë në Luksemburg më 13 maj 2025.
Gjatë diskutimit, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ngriti një sërë çështjesh që lidhen me statusin dhe rolin e avokatit në sistemin e drejtësisë, duke kërkuar që mbrojtja e profesionit të mos shoqërohet me standarde të ndryshme krahasuar me aktorët e tjerë të sistemit.
“Tani do them diçka që Arjanit (Ndojës) mund të mos i vijë mirë, por përse avokati mos jetë njësoj si prokurori? Çfarë ka prokurori më shumë se avokati?”, tha Korreshi, duke shtuar se është dakord me një pjesë të ndryshimeve të parashikuara.
Sipas tij, nëse synohet t’i jepet më shumë dinjitet profesionit të avokatit, duhet të ndërhyhet edhe në mënyrën se si funksionon sot sistemi.
“Nuk mund të ketë dy standarde. Duhet të bëhet diçka tjetër, të bëjmë një nismë ligjore”, u shpreh deputeti demokrat.
Korreshi solli në vëmendje edhe procedurat e divorcit, duke kërkuar heqjen e fazës së pajtimit në gjykatë.
“Dhe te divorcet, hiqni fazën e pajtimit, se nuk është pajtuar asnjë në gjykatë”, deklaroi ai.
Deputeti i PD-së u ndal edhe te raporti mes avokatit dhe personit që mbrohet prej tij, duke argumentuar se avokati nuk duhet të trajtohet ndryshe nga aktorët e tjerë të procesit për sa i përket statusit dhe dinjitetit profesional.
“Nuk ka asnjë ndryshim avokati nga i pandehuri nga mënyra sesi gjyqtari apo prokurori e trajton”, tha Korreshi.
Ai kërkoi gjithashtu që të shihet edhe mënyra e drejtimit të Dhomës së Avokatisë, duke propozuar kufizime në kohë për drejtuesit.
“Nëse do t’i jepni dinjitet siç është jashtë, në Shqipëri nuk ndodh kjo. Nëse do themi Konventë, duhet t’i japim si fillim dinjitet. Vini ndonjë kufizim këtyre avokatëve të Dhomës së Avokatisë, ndonjë katërvjeçar, se pas daljes në pension nuk e lëshojnë andej nga mëhalla jonë”, u shpreh ai.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e vlerësoi diskutimin e deputetit Korreshi, duke deklaruar se shqetësimet e ngritura lidhen me vështirësi konkrete që mund të hasen në ushtrimin e profesionit të avokatit.
“Faleminderit edhe për tërheqjen e vëmendjes në fenomene të caktuara, por edhe në sugjerimet tuaja”, tha Gogu.
Ministri u shpreh dakord me nevojën për të adresuar vështirësitë burokratike dhe procedurale që mund të ndikojnë në ushtrimin e rolit të avokatit, veçanërisht për sa i përket aksesit në procesin gjyqësor, përfaqësimit dhe aksesit gjatë hetimeve.
Sipas Gogut, pikërisht këto janë ndër arsyet përse deputetët duhet të mbështesin ratifikimin e Konventës.
“Është një arsye më shumë që sot t’i jepni mbështetjen tuaj Konventës, e cila siguron dy gjëra, vendos ato parime të mbrojtjes së rolit të avokatit dhe monitorim ndërkombëtar”, deklaroi ministri.
Gogu iu referua edhe mekanizmit GRAVO, i cili do të monitorojë mënyrën se si ushtrohet dhe mbrohet profesioni i avokatit pas ratifikimit të Konventës.
Në përfundim, ministri mbështeti propozimin për zhvillimin e një dëgjese me grupet e interesit, me qëllim që çështjet e ngritura gjatë diskutimit të trajtohen më gjerësisht.
“Mbështes idenë tuaj të një dëgjese me të gjitha grupet e interesit”, tha Gogu.
Top Channel
