Televizioni publik i Zvicrës ka zhvilluar një hulumtim të pabesueshëm mbi fenomenin e vjedhjes së biçikletave në Zvicër. Në këtë vend çdo vit vidhen dhjetëra mijëra biçikleta të thjeshta dhe elektrike, teksa vetëm në vitin 2024 u raportuan 54.308 raste.
Gazetari i emisionit “Rundschau” pajisi një biçikletë elektrike me gjurmues GPS dhe e la para një dyqani që mbikëqyrej me kamera. Natyrisht biçikleta ishte e siguruar me dryn. Pas dy javësh biçikleta u vodh, pasi iu thye dryni.
Ekipi e ndoqi rrugëtimin e biçikletës me anë të GPS. Pas disa muajsh, biçikleta fillimisht u lokalizua në Prizren, pasi ishte transportuar me autobus nga Zvicra. Më pas biçikleta u gjet në Shqipëri te një person privat. Në Shqipëri u hap një procedurë për blerje të mundshme të mallrave të vjedhura. Detaje të tjera policia nuk dha.
Vjedhja e biçikletave është rritur dukshëm vitet e fundit, sidomos në Basel. Afërsia me kufirin francez dhe gjerman lehtëson dërgimin e biçikletave të vjedhura jashtë shtetit. Shumë prej tyre dërgohen fillimisht në Francë, pastaj më tej në Ballkan ose Afrikën e Veriut. Vetëm në vitin 2023 dëmi të cilin kanë paguar sigurimet për vjedhjen e biçikletave ishte 83,2 milionë franga.