Në protestën e 21-të që po zhvillohet në Tiranë, pjesëmarrësit kanë kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama, duke vijuar me thirrje të forta politike gjatë tubimit.

Gjatë protestës janë dëgjuar slogane si “Shqipëri e re” dhe thirrje për përgjegjësi politike, përfshirë edhe “Rama në burg, Berisha në burg”, që janë artikuluar nga disa prej pjesëmarrësve në shesh.

Një nga folëset në protestë deklaroi se kërkesa e qytetarëve është ndërtimi i një “Shqipërie të re”, me një klasë politike të re dhe të papërlyer, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë institucioni që vendos mbi përgjegjësitë individuale.

Ajo i bëri gjithashtu thirrje anëtarëve të Partisë Demokratike të bashkohen si qytetarë në protestë, duke theksuar se qëllimi, sipas saj, është krijimi i një alternative të re politike pa përçarje.

Në deklaratën e saj u përmend edhe mbështetja për strukturat e drejtësisë, përfshirë SPAK, si institucion që duhet të garantojë hetimin dhe ndëshkimin e çdo rasti të dyshuar.