Për herë të parë, Radiotelevizioni Italian “RAI” do të nisë transmetime të dedikuara në gjuhën arbëreshe.

Transmetimi do të nisë më 21 shtator, duke i dhënë zë dhe hapësirë një prej komuniteteve më të vjetra shqiptare në diasporë. Iniciativa e “RAI Calabria”-s parashikon prodhimin e reportazheve dhe emisioneve radio-televizive, të cilat synojnë të ruajnë kulturën, gjuhën dhe identitetin e arbëreshëve në Itali.

Nga ora 09:30-10:30 në “Rai 3” do të transmetohet një emision i përjavshëm televiziv, i fokusuar tek vizitat në qytezat arbëreshe dhe dokumentimi i jetës së tyre.

Ndërkohë, çdo ditë nga e hëna ne të premte, në “Radio Rai 1”, do të transmetohet një program rreth 30-minutësh që do të evidentojë traditat, zakonet, moralin dhe trashëgiminë gjuhësore te arberesheve.

Ky hap historik shënon një moment kthese për arbëreshët e Italisë, të cilët prej gati gjashtë shekujsh kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare. Për ta, transmetimet në gjuhën e te parëve nuk janë vetëm media, por një urë e fortë që lidh të shkuarën me të ardhmen.