Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Policisë Vendore në Shkodër, ku në qendër të diskutimeve ishte puna e policisë për përballimin e kriminalitetit në qark.

Hita është shfaqur i pakënaqur me rezultatet e Policisë së Shkodrës, një strukturë që e ka drejtuar vetë për rreth katër muaj në vitin 2021.

Në takim u diskutua për zbulueshmërinë e vrasjeve, goditjen e grupeve kriminale, kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, por edhe për sigurinë rrugore dhe situatën në shkolla, në prag të nisjes së sezonit të ri shkollor.

Kërkesa e drejtuesit të Policisë së Shtetit për strukturat vendore ishte rritja e rezultateve dhe një punë më efektive në parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale.

Në fokus të veçantë ishte zbardhja e vrasjeve dhe goditja e veprimtarisë së grupeve kriminale dhe kultivimit të drogës, në një qark që vijon të përballet me probleme të kriminalitetit.

Takimi u zhvillua në një ditë kur Shkodra u përball edhe me një tjetër ngjarje të rëndë kriminale. Ylber Luli u vra në qytet, ndërsa policia arrestoi pak pas ngjarjes personin e dyshuar si autor, Andri Vulaj.

Mbledhja e zhvilluar nga Hita me drejtuesit e policisë në Shkodër zgjati më shumë se një orë.