Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë në Konferencën Evropiane të Drejtuesve të Policisë, një ngjarje strategjike e organizuar dhe koordinuar nga EUROPOL-i, e cila bëri bashkë në Hagë drejtuesit më të lartë të agjencive ligjzbatuese të 59 shteteve dhe përfaqësues të 15 organizatave ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë Konferencë dëshmon angazhimin e Policisë së Shtetit shqiptar për të qenë pjesë aktive e arkitekturës evropiane të sigurisë dhe për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë në Evropë.
Në fokus të Konferencës, ku morën pjesë mbi 500 drejtues policie dhe delegatë nga 59 vende dhe 15 organizata ndërkombëtare, ishte nevoja për të unifikuar strategjitë dhe për të bashkërenduar forcat, përballë kompleksitetit gjithnjë në rritje të kërcënimeve globale dhe kriminalitetit modern.
Gjatë Konferencës u diskutua mbi parandalimin e radikalizimit dhe sfidat e reja të sigurisë, si dhe nevojën për t’i trajtuar ato në mënyrë të integruar dhe të bashkërenduar.
Në këtë kuadër, u vu theksi te roli i strukturave të sigurisë, puna dhe angazhimi i të cilave janë një barrierë e rëndësishme për lëvizjen dhe shtrirjen e kontingjentit kriminal, si dhe për goditjen e krimeve ndërkufitare.
Gjithashtu, u diskutua mbi dualitetin e zhvillimeve teknologjike: nga njëra anë, mundësitë e jashtëzakonshme që teknologjia u ofron agjencive ligjzbatuese për analiza më të shpejta dhe hetime më efikase dhe, nga ana tjetër, dimensionet e reja, të shpejta dhe pa kufij, me të cilat teknologjia ka krijuar fenomene të reja kriminale dhe ka lehtësuar zhvillimin e formave të tjera të kriminalitetit.
Në lidhje me këtë aspekt qendror të Konferencës, u theksua domosdoshmëria e forcimit të bashkëpunimit ndërsektorial ndërmjet Policisë, sektorit financiar dhe platformave teknologjike, me qëllim parandalimin dhe goditjen e mashtrimeve online.
Punimet e Konferencës, të zhvilluara nga data 28 deri më 30 shtator, u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit dhe të veprimit të përbashkët ndërkufitar, përballë kërcënimeve të reja të sigurisë.
Ndërkaq, për Policinë e Shtetit shqiptar, pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë Konferencë me impakt të lartë ndërkombëtar përbën një mundësi të rëndësishme për të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të rritur kapacitetet e analizës strategjike, në funksion të luftës kundër krimit dhe garantimit të një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët.
