Hetimet për vdekjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil kanë sjellë një tjetër zhvillim, pasi autoritetet kanë arritur të lokalizojnë dhe sekuestrojnë thikën që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit ku humbi jetën 20-vjeçari.
Arma e ftohtë tashmë është administruar si provë dhe pritet t’u nënshtrohet ekspertizave për të përcaktuar lidhjen e saj me krimin.
Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes rezulton se përplasja ka nisur brenda ambienteve të kompleksit “Principote” dhe më pas është zhvendosur jashtë tij. Në konflikt dyshohet se është përfshirë Sokrat Vata, i cili punonte si punonjës sigurie në kompleks.
Sipas dyshimeve të deritanishme të hetuesve, Vata ka goditur me thikë turistin portugez, ndërsa një person tjetër dyshohet se e ka sulmuar 20-vjeçarin me grushte.
Sekuestrimi i thikës konsiderohet një element i rëndësishëm për vijimin e hetimeve. Ekspertët pritet të verifikojnë nëse karakteristikat e saj përputhen me plagët e konstatuara në trupin e viktimës. Gjithashtu do të kërkohen gjurmë biologjike dhe elementë të tjerë që mund të ndihmojnë në përcaktimin e mënyrës se si është përdorur arma.
Sokrat Vata u vu në pranga më 18 gusht në zonën e Levanit, në Fier. Në momentin e kapjes ai ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjykata e Sarandës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Vetë i arrestuari ka paraqitur një version të ndryshëm të episodit. Vata pretendon se thika nuk ishte e tij, por e turistit portugez. Sipas deklarimeve të tij, ai ia kishte marrë armën 20-vjeçarit nga dora gjatë përplasjes dhe më pas e kishte goditur.
Ekspertiza e armës së sekuestruar, së bashku me provat e tjera të administruara gjatë hetimit, pritet të ndihmojë autoritetet në verifikimin e versioneve të dhëna dhe në rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.
