Këtë të martë të 2 shtatorit u mbajtën homazhet për ndarjen nga jeta të regjisorit të madh Dhimitër Anagnostit. I pranishëm në homazhe ishte edhe kryeministri i vendit Edi Rama ku shkroi një mesazh ngushëllimi në librin e kujtimeve.

“Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty. Me mall, Edi”, shkroi kryeministri.

Familjarë, kolegë, politikanë dhe qytetarë vendosën kurora me lule dhe nderuan kolosin e kinematografisë shqiptare, i cili mbylli sytë përgjithmonë një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

I lindur më 23 janar 1936 në Vuno, Anagnosti njihet si një nga regjisorët më të rëndësishëm të shekullit XX. Me një karrierë mbi 40-vjeçare, ai la pas një trashëgimi të pasur me 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, të cilët u vlerësuan me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Gjykoni veprën time”, thuhej shpesh nga Artisti i Popullit, duke treguar modestinë e tij, ndërsa trajtonte tema sociale në një kohë kur e vërteta shpesh ishte e ndaluar. Me guxim dhe vendosmëri, Anagnosti ishte një luftëtar i mendimit të lirë.

Filmat e tij më të njohur, që mbajnë vulën e regjisorit, përfshijnë tituj si “Lulëkuqe mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Në shtëpinë tonë”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Malet me blerim mbuluar”.

Anagnosti gjithashtu frymëzoi bashkëshorten dhe partneren e tij në jetë dhe art, Artisten e Merituar Roza Anagnosti, si dhe shumë artistë të rinj. Ai provoi zhanre të ndryshme në kinematografi dhe me profesionalizmin e tij ngriti nivelin e artit shqiptar.

Pas viteve ’90, Anagnosti u angazhua edhe në jetën politike, duke shërbyer si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitet 1992-1994. Përveç kinemasë, ai u prezantua edhe si shkrimtar, ndërsa vepra e tij e fundit, “Treni ADN”, duket si një testament, ku regjisori shfaqet jo vetëm si mendimtar dhe eseist, por mbi të gjitha si poet dhe krijues i hollë.