Kanë nisur këtë të enjte homazhet në nder të Enea Mekollit, efektivit 34-vjeçar të Policisë së Shtetit, i cili humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar në zonën e Lozhanit, në Maliq.

Ceremonia e homazheve po zhvillohet në Pogradec, nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërsa më pas trupi i pajetë i shpallur “Dëshmor i Atdheut” do të përcillet për në banesën e fundit në fshatin Blacë, vendlindja e tij.

Megjithëse ligji parashikon që personat me statusin “Dëshmor i Atdheut” të prehen në Varrezat e Dëshmorëve, familjarët kanë kërkuar që varrimi të kryhet në vendlindje. Kjo dëshirë lidhet me një tragjedi tjetër që ka goditur familjen vite më parë, kur humbën edhe një djalë tjetër, po ashtu efektiv policie, pas një sëmundjeje të rëndë.

Sipas të afërmve, dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit, në tokën ku u rritën. Një kërkesë e mbushur me dhimbje, por edhe me dëshirën për t’i mbajtur bashkë edhe pas ndarjes nga jeta.