Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Spoletos në Itali, ku pranë hekurudhës u gjet një trup i copëtuar, i futur brenda një qeseje të zezë. Zbulimi u bë nga një kalimtar, i cili vuri re diçka të dyshimtë pranë kopshteve në Via XIV Giugno dhe njoftoi menjëherë autoritetet.
Ekspertët mjeko-ligjorë kanë konstatuar se viktima kishte plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, të cilat rezultuan fatale. Hetimet për identitetin e personit dhe rrethanat e vdekjes së tij janë ende në fazën fillestare. Në vendngjarje u gjet edhe një biçikletë e vogël elektrike, e cila po hetohet për të parë nëse lidhet me kufomën.
Sipas Perugia Today, policia po verifikon nëse krimi ka ndodhur në atë zonë apo nëse trupi është transportuar më vonë atje. Vlerësimet paraprake tregojnë se viktima kishte disa ditë që kishte ndërruar jetë. Një tjetër pistë që po shqyrtohet është ajo e lidhjes së mundshme me zhdukjen e një të riu të raportuar kohët e fundit. Hetuesit, ndërkohë, po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur ngjarjen.