Një tjetër rast makabër dhune ndaj kafshëve ka tronditur qytetin e Shkodrës. Në lagjen Kiras, është gjetur një qen i masakruar, i futur brenda një qeseje plehrash bashkë me disa pula të ngordhura.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se kafsha kishte sulmuar pulat e pronarit, i cili në vend që të merrte masa të tjera, ka zgjedhur ta ndëshkojë në mënyrën më çnjerëzore , duke e rrahur deri në agoni dhe më pas duke e flakur në plehra.

Pamjet e ngjarjes janë tronditëse, duke treguar qartë dhunën barbare me të cilën është trajtuar qeni. Ai u gjet nga vullnetarë të organizatës “Animals Need Me” pranë kazanit të plehrave dhe u dërgua menjëherë në një klinikë veterinare.

Mjekët konfirmojnë se kafsha ka fraktura të shumta dhe ndodhet në gjendje kritike. Gjendja e tij është aq e rëndë sa vetëm një mrekulli mund t’ia shpëtojë jetën.