
Dëshmitarët e Jehovait me anë të një reagimi të zv.presidentit të kësaj Organizata, Arben Vasili ka reaguar për Gazetën “Shqip”, duke hedhur poshtë çdo mundësi që Zhaneta, Blerta apo Anisa, apo dhe ndonjë pjesëtar familjes Josifi, të kenë qenë anëtarë të tyre.
Duke reaguar për shkak të shkrimeve të publikuara në Gazeta “Shqip” ku pjesa më e madhe e atyre iu është referuar raportimeve të hetimeve, apo çfarë kanë deklaruar persona të ndryshëm në lidhje me ngjarjen tragjike të familjes Josifi, ku humbën jetën Zhaneta Josifi dhe e bija Anisa Josifi, duke kryer aktin e vetëflijimit, organizata “Dëshmitarët e Jehovait” kërkon që të theksohet me forcë se asnjë prej pjesëtarëve të familjes Josifi nuk ka qenë anëtarë të tyre.
“As Zhaneta, as Blerta as Anisa apo ndonjë anëtar tjetër i familjes Josifi nuk janë e nuk kanë qenë ndonjëherë Dëshmitarë të Jehovait. Pasi kemi kontaktuar 33 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Tiranë, mund të konfirmojmë me siguri të plotë se familja Josifi nuk është shoqëruar kurrë me asnjë kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Për këtë arsye, raportimi në lajmet tuaja është i rremë dhe është një shpifje për organizatën tonë fetare. Dëshmitarët e Jehovait kudo në botë nuk kanë të bëjnë fare me sjelljen e tmerrshme të përshkruar në raportimin tuaj. Jemi të ofenduar thellësisht që emri ynë është lidhur me veprime të tilla tronditëse dhe të papranueshme si vetëvrasje «vetë-flijuese» dhe «rite fetare» që përfshijnë mosushqyerjen. Është më se e njohur se Dëshmitarët e Jehovait i dënojnë veprime të tilla dhe nxisin respektin për jetën”, thuhet në reagimin e Vasilit.
Më tej theksohet se “siti zyrtar i Dëshmitarëve të Jehovait (www.jw.org/sq) përmban mjaft artikuj që inkurajojnë respektin për jetën dhe që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për ata që mendojnë të kryejnë vetëvrasje, si këta artikuj që vijojnë: · «I shpëtojnë nga vetëvrasja»; · Kulla e Rojës, Nr. 2 2019, «Ia vlen të jetosh!»; · Zgjohuni! Prill 2014, «Jo vetëvrasjes!—Tri arsye pse ia vlen të jetosh»; · «Dua të vdes: A mund të marr forcë nga Bibla që të luftoj mendimin për të vrarë veten?»”.
Organizata se shton se “artikujt i kanë shkaktuar shqetësim të madh Dëshmitarëve të Jehovait dhe kanë dëmtuar reputacionin e çdo Dëshmitari të Jehovait dhe besimit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait në gjithë Shqipërinë dhe ndërkombëtarisht”.
Gazeta “Shqip” thekson se me pasqyrimin e lajmeve apo dhe të deklaratave të personave të ndryshëm nuk ka pasur në asnjë moment si qëllim të sulmojë apo ta lidhin këtë organizatë për këtë ngjarje, dhe se ka qenë hapur për të publikuar qëndrimet e ndryshme mbi krimin e rëndë të ndodhur, duke lënë dhe shpresuar që për këtë hedhë dritë drejtësia, e cila ka fjalën e fundit.