Një ngjarje tronditëse është regjistruar së fundmi në Gjermani, ku një shqiptar nga Kosova ka plagosur rëndë bashkëshorten e tij me thikë, në prani të fëmijës së tyre të mitur.

Autori i dyshuar, Samson K., akuzohet se ka therur me thikë Sabrina K., 31 vjeç, duke i shkaktuar pesë plagë të rënda. Ngjarja ndodhi të martën pranë banesës së saj, në momentin kur ajo po kthehej së bashku me djalin e tyre 7-vjeçar, pasi e kishte marrë nga shkolla.

Sipas gazetës gjermane BILD, çifti kishte një histori të gjatë konfliktesh dhe marrëdhënie të tensionuara. Ata ishin të martuar prej disa vitesh dhe kishin dy fëmijë: një vajzë 4-vjeçare dhe një djalë 7-vjeçar. Më parë, më 17 janar 2024, Samson K. kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, duke e goditur në fytyrë, çka solli vendimin e gjykatës për ndalim kontakti dhe ndalim afërsie deri më 19 korrik 2024. Ky vendim u shkel katër herë nga Samsoni.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasi ai kishte tentuar të merrte vajzën nga kopshti, por personeli kishte refuzuar dhe kishte njoftuar nënën. Sabrina kishte shkuar menjëherë, kishte marrë vajzën dhe e kishte lënë te një mikeshë, më pas ishte nisur për të marrë djalin nga shkolla. Pikërisht gjatë kthimit, pranë banesës së saj, ndodhi sulmi.

Pas sulmit, Samson K. nuk u largua nga vendi i ngjarjes, por qëndroi aty deri në mbërritjen e policisë. Sipas dëshmitarëve, ai u shpreh: “Nuk e dini çfarë më bëri ajo”. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Viktima ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.