Gazetari Artan Hoxha ka dhënë më shumë detaje mbi audo-përgjimin që dorëzoi në SPAK, në lidhje me vrasjet e protestës së 21 janarit 2011.
Në një intervistë për Euronews, Hoxha tha se ka dorëzuar versionin origjinal të kësaj audio-je në SPAK, edhe pse, sipas tij, me një farë meraku, duke qenë se shpesh materialet janë zhdukur ose humbur. Gazetari shtoi se ka vënë në dijeni familjarët e Aleks Nikës për këtë, duke shtuar se në këtë regjistrim kuptohet qartë kush ka qëlluar mbi protestuesit.
“Origjinalet nuk i kam dorëzuar për shkak të skepticizmit që kam unë, pasi kam konstatuar në jo pak raste që prova determinante janë harruar ose janë zhdukur diku dhe e kanë humbur vlerën. Meqenëse po aludohej në rastin konkret që kaseta të ishte jo origjinale, në fakt, mesa di unë, ajo nuk ka shkuar për ekspertim. Së pari, laboratori që kemi ne nuk eksperton kasetofonët e dikurshëm, do të thotë që nuk e kemi këtë teknologji, ndërsa inteligjenca artificiale ka hyrë në funksion vitet e fundit. Në rastin konkret ajo nuk është ekspertuar. Në momentin që unë mora dijeni se ajo e ka luajtur rolin e saj në çështje për të shkuar drejt zbardhjes së saj, ka një hetim të gjerë. Kaseta është hinka. Edhe këtë mundësi ia hoqa unë, dorëzova origjinalin. E kam verifikuar vetë. Vura në dijeni familjarët e Aleks Nikës dhe u thashë: ‘Ja, dëgjoje me veshët e tu se çfarë ka ndodhur’”, – tha Hoxha.




