Gjiganti botëror pastroi paratë e grupeve kriminale meksikane të drogës


Banka ndërkombëtare HSBC ra dakord të paguajë 1.92 miliardë dollarë gjobë për të mbyllur hetimet nga prokurorët amerikanë që e akuzuan këtë bankë se u ka shërbyer krimit për pastrimin e parave të drogës, korrupsionit apo aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme. Banka me bazë në Britani, por me shtrirje në të gjithë botën, pranoi fajin dhe kërkoi ndjesë.


“Ne e pranojmë përgjegjësinë për gabimet tona të së shkuarës. Ne thamë se na vjen thellësisht keq për këto gabime dhe e përsërisim këtë gjë. HSBS sot është një organizatë thellësisht e ndryshme nga ajo që ishte kur bëri gabime”, tha kreu ekzekutiv Stuart Gulliver.


Në bazë të ligjeve aktuale, bankat janë përgjegjëse për të kontrolluar origjinën e parave që kalojnë në transaksionet e tyre dhe për të raportuar tek autoritetet rastet e dyshimta. Por HSBC u zbulua se nuk kishte vendosur masat e nevojshme të kontrollit për të parandaluar pastrimin e parave të fituara nga kartelet e drogës, organizatat terroriste dhe paratë e fituara përmes evazionit fiskal. Banka nuk monitoroi siç duhet pjesën më të madhe të transaksioneve me vlerë 15 miliardë dollarë nga Meksika, Irani e Siria. Banka duhet tani të zgjidhë edhe hetimet e hapura në Britaninë e Madhe, hetime që pritet t’i kushtojnë edhe shumë para të tjera.


Qeveria amerikane ka përfituar deri tani rreth 5 miliardë dollarë nga gjobat që u ka vënë bankave të ndryshme në të gjithë botën, përgjegjëse për shkeljen e embargove amerikane ndaj shteteve të ndryshme, si dhe nga shkelja e ligjeve kundër pastrimit të parave. Drejtuesit e bankave nuk janë marrë të pandehur deri më sot, si pjesë e një platforme nga prokurorët, të cilët thonë se hetimet kriminale pezullohen në rast se firmat pranojnë të paguajnë gjoba dhe të ndryshojnë sjellje.