Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka reaguar pas humbjes tragjike të jetës së koleges së tyre, infermieres Dëshira Hoxha, e cila humbi jetën ditën e djeshme nga një aksident në Gramsh.
Në mesazhin zyrtar, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë shpreh ngushëllimet për familjen e saj, të afërmit dhe kolegët, duke theksuar se “kujtimi dhe vepra e Dëshira Hoxhës do të mbeten të gjalla dhe të paharruara në komunitetin infermieror dhe përtej tij”.
“Urdhri i Infermierit të Shqipërisë shpreh dhimbjen dhe trishtimin e thellë për humbjen e parakohshme të jetës së infermieres Dëshira Hoxha, e cila u nda nga jeta pas një aksidenti tragjik. Një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, Deshira shërbeu për 5 vite me radhë me dinjitet, përkushtim dhe humanizëm ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh, duke lënë pas një shembull fisnik të misionit infermieror. Në këto çaste të dhimbshme, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët. Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë dhe i paharruar”, shprehet Urdhri i Infermierit.
Aksidenti tragjik ka ndodhur ditën e djeshme në aksin Kabash–Porocan të Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj. Mjeti, në të cilin udhëtonin tre persona, pjesë e personelit të shërbimeve që operojnë në zonat rurale, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë. Si pasojë e ngjarjes, ka ndërruar jetë infermierja Dëshira Hoxha, ndërsa mësuesja Albana Boja ka mbetur e plagosur rëndë dhe është transportuar në gjendje kritike drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.


