Në një atmosferë të rëndë dhimbjeje, familjarë dhe miq i dhanë sot lamtumirën e fundit 19-vjeçares Myrto e cila humbi jetën në rrethana tragjike 3 ditë më parë në Argostoli të Kefalonisë. E shkatërruar nga dhimbja, nëna e saj, në ceremoninë mortore në Kishën Metropolitane të qytetit, ndërsa në kurorat me lule shkruhej “Udhëtim të mbarë engjëlli im” dhe “Të duam Myrto”.

Rasti i vdekjes së 19-vjeçares me origjinë shqiptare ka tronditur jo vetëm Kefaloninë, por të gjithë opinionin publik në Greqi. Sipas hetimeve, Myrto ndodhej në një dhomë hoteli me tre të rinj, një ish peshëngritës 26 vjeç, një 23-vjeçar dhe një 22-vjeçar. Sipas deponimeve paraprake ata kanë përdorur lëndë narkotike, por rreth orës katër të mëngjesit, gjendja e saj u përkeqësua ndjeshëm.

26-vjeçari, i arrestuar për çështjen, ka pranuar se ishte ai që bleu drogën. Në dëshminë e tij ai pretendon se mendoi se Myrto kishte pësuar krizë epileptike dhe se u përpoq ta ndihmonte. Sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse në dhomë u gjetën gjurmë gjaku, pasi ai thotë se vajza e kafshoi në dorë.

Nga ana tjetër, 22-vjeçari pretendon se ndodhej në një dhomë tjetër nën shoqërinë e një vajze dhe u njoftua me telefon kur Myrto nuk ndihej mirë. Ai thotë se së bashku me të tjerët e nxorën jashtë për të marrë ajër dhe se nuk e braktisën, por qëndruan pranë saj deri sa mbërriti ambulanca.

Megjithatë, familja e Myrtosë kërkon hetim të plotë dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie,pasi avokati I familjes ka deklaruar se pasi 19 vjeçarja është dërguar në spital pa ndjenja aty nuk ka pasur mjekë, por ata kanë ardhur kur ishte tepër vonë. Një nga pyetjet kryesore që po hetohet është sa kohë vajza qëndroi pa ndjenja dhe me spazma në dhomën e hotelit, para se të thirrej ambulanca dhe se nëse është lënë apo jo e braktisur jashtë hotelit, pasi thuhet edhe se është gjetur nga kalimtarë të cilët lajmëruan ndihmën e shpejtë.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu edhe rolin e mundshëm të një 66-vjeçari nga Preveza, i cili sipas informacioneve komunikonte me Myrtonë deri në orët e para të mëngjesit dhe i kishte dërguar 220 euro.

Por përveç tragjedisë, rasti ka hapur debat të fortë edhe në rrjetet sociale. Një pjesë e komenteve janë përqendruar tek pamja e jashtme e vajzës apo zgjedhjet e saj personale. Ndërsa shumë të tjerë reagojnë me zemërim ndaj kësaj logjike, duke theksuar se problemi nuk është se si vishej apo çfarë bënte një vajzë 19-vjeçare, por pse humbi jetën dhe pse një shoqëri vazhdon të merret me viktimën, në vend që të kërkojë përgjigje për atë që ndodhi.