Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Novoselë. Gjatë një ndeshjeje futbolli në një kalçeto të fshatit, një i ri 42-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike.

Viktima, me iniciale B.R., jetonte dhe punonte në Gjermani dhe kishte ardhur për pushime në fshatin e tij të lindjes, Novoselë. Mbrëmjen e djeshme, ai po luante futboll së bashku me bashkëmoshatarët e tij, kur gjatë lojës dyshohet se është goditur fort nga topi në kraharor.

Sipas informacioneve paraprake të policisë dhe dëshmive të shokëve që ndodheshin në vendngjarje, pas goditjes 42 vjeçari ka humbur ndjenjat. Ai është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës nga shokët e tij, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.

Mjekët kanë bërë të ditur se i riu ka pësuar arrest kardiak gjatë ndeshjes, i cili rezultoi fatal. Analiza e 42 vjeçarit është dërguar në Tiranë për autopsi, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të dalin pas rreth tre muajsh, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Specialistët e shëndetësisë ngrenë shqetësimin se raste të tilla po përsëriten gjithnjë e më shpesh, veçanërisht tek moshat e reja nga 40 deri në 50 vjeç. Ata theksojnë se shumë të rinj angazhohen në aktivitete sportive intensive pa kryer kontrolle mjekësore paraprake, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre, veçanërisht sistemin kardiovaskular, çka mund të çojë në pasoja fatale si arresti kardiak.