Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në fabrikën e pasurimit të kromit në Qafë-Burrel, ku 29-vjeçari Ardit Beshiri u zë poshtë nga një masiv i madh minerali dhe inertesh, teksa po punonte me fadromë për sistemimin e kromit. Fabrika menaxhohej nga një kompani kineze.

Prej tre ditësh vijojnë kërkimet për trupin e të riut, por deri tani pa rezultat. Pajisjet nuk kanë mundur të lokalizojnë vendndodhjen e trupit për shkak të sasisë së madhe të mineralit.

Policia ka arrestuar drejtuesin teknik të firmës për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë, ndërsa babai i viktimës ka kërkuar ndihmë nga shteti për shtimin e forcave në kërkime.

Prefekti i qarkut Dibër, Nezhmedin Shehu, deklaroi nga vendngjarja se po bëhet maksimumi për gjetjen e trupit, por vështirësitë janë të mëdha për shkak të terrenit.