Astrit Hysenaj është 54-vjeçari i cili humbi jetën si pasojë e motit të keq. Ai ishte viktima e parë e shënuar nga përmbytjet, ku u gjet të enjtjen në një kanal kullues në Durrës. Astrit Hysenaj, punonjës i pastrimit në bashkinë e Durrësit, humbi lidhjet me familjaret të martën dhe dy ditë më vonë u gjet i pajetë, në zonën e ish-repartit ushtarak pranë Plepave.

Osman Hysenaj, kushëriri i viktimës deklaroi se ai ka vdekur në krye të detyrës si pasojë e motit të keq.

“Në mëngjes është nisur për në punë. Moti ishte i keq dhe bashkëshortja dhe nëna e tij i thanë mos shko por ai nuk i dëgjoi. Pasi kaloi ora, ai nuk u kthye. Nisëm kërkimet. Hapëm kamerat dhe e pamë po punonte në një kanal duke e pastruar. Policia na tha se duhet të kalonin 24 orë që të nisnin kërkimet. Pasi nisën, gjetën fillimisht uniformën e tij afër kanalit dhe lindën dyshime se mund të ishte kufoma aty. Pasi hynë polumbarët gjetën trupin brenda. Tani presim të dalë rezultati i autopsisë që të zbardhet se si ka ndodhur ngjarja. Ai vdiq teksa punonte. Ishte i vetmi që mbante familjen, ka 3 fëmijë, bashkëshorten e ka pa punë. E vetmja e ardhur që u ngelet tani është pensioni i nënës. Sa i përket pretendimeve të bashkisë e nuk ishte në punë kur ndërroi jetë. janë të pavërteta, ishte në krye të detyrës, u kërkoj të mos bëjë deklarata të pabazuara. Nga bashkia nuk na ka ardhur askush.”- tha ai.