Një aksident tragjik ka ndodhur të premten në fshatin Mjedë të Shkodrës, ku dy këmbësorë humbën jetën. Mësohet se shkak i aksidentit ishte humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi, shtetasi me iniciale G.B., 21 vjeç.

Pas hetimeve, sot është vënë në pranga autori i dyshuar i aksidentit, i cili po mbahet nën akuzën për vrasje nga pakujdesia. Policia ka nisur procedurat ligjore ndaj 21-vjeçarit, ndërkohë që po vijon hetimi për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes.

Viktimë mbetën Ndrue dhe Ndrekë Prenga, nip dhe xhaxha.

“Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin G. B., 21 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi mbasditen e djeshme në fshatin Mjedë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për  pasojë automjeti ka dalur nga rruga, duke përplasur dy  këmbësorët, ku si pasojë humbën jetën shtetasit N. P., 63  vjeç, dhe N. P., 43 vjeç.”, thuhet në njoftim.