Shqiptari Pano Ruçi ka njoftuar sot se do të rikthehet çdo ditë në Sheshin Syntagma dhe pranë Monumentit të Ushtarit të Panjohur, në zemër të Athinës, për të kujtuar djalin e tij, Denisin, dhe viktimat e tjera të aksidentit tragjik hekurudhor të Tempit. Ai do të qëndrojë në vendin ku janë shkruar me bojë të kuqe emrat e të rinjve që humbën jetën në atë ngjarje që tronditi Greqinë.

Ruçi u bëri thirrje të gjithë atyre që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë, që të vazhdojnë të jenë pranë tij çdo natë, për të nderuar kujtimin e viktimave dhe për të mos lejuar që harresa t’i mbulojë emrat e tyre.

“Nga sot e tutje do të jem çdo natë në Syntagma, pikërisht aty ku me bojë të kuqe është shkruar emri i djalit tim dhe i të gjithë fëmijëve që humbën jetën në mënyrë të pafajshme,” – deklaroi ai.

Ndërkohë, drejtësia greke ka pranuar kërkesat e Pano Ruçit për zhvarrosjen e trupit të djalit, kryerjen e një autopsie të re dhe analizave të ADN-së. Ai dyshon se në arkëmortin e varrosur nuk ndodhet trupi i 22-vjeçarit dhe kërkon të zbulojë të vërtetën mbi shkakun real të vdekjes së tij.

Hetimet mbi tragjedinë e Tempit kanë konfirmuar se aksidenti u shkaktua nga një gabim njerëzor dhe nga mungesa e sistemeve të automatizuara të kontrollit hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i është atribuar shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte devijuar gabimisht trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave.

Ky aksident, që shkaktoi dhjetëra viktima, nxiti protesta të mëdha në të gjithë Greqinë dhe zemërim të thellë ndaj institucioneve për mungesën e sigurisë në transportin hekurudhor. Si pasojë, ministri i Transportit dha dorëheqjen, ndërsa qeveria u angazhua për modernizimin e rrjetit hekurudhor dhe vendosjen e sistemeve të reja të sinjalizimit dhe menaxhimit të trafikut.

Ngjarja mbetet një plagë e hapur për familjet e viktimave dhe për gjithë shoqërinë greke, ndërsa Pano Ruçi vazhdon betejën e tij për drejtësi dhe kujtim.