Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi nga ambasada e Vatikanit në Tiranë, ku sot u zhvilluan homazhe në nderim të Papa Françeskut, e cilësoi ndarjen e tij nga jeta si një humbje të madhe.

Ai tha se papa do të mbahet mend për thjeshtësinë që kishte dhe për përkushtimin e tij ndaj personave që ishin në nevojë.

“Papa Françesku ishte një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin katolikë, por edhe më gjerë. Ai do të kujtohet gjithmonë për thjeshtësinë e tij dhe për kujdesin që tregoi ndaj njerëzve në nevojë dhe në vështirësi duke u bërë zëri i atyre që nuk kishin zë.

Në do të na mungojë ky zë në botën e sotme, por ne ngushëllohemi sepse tek perëndia nuk ka të vdekur, zoti është i të gjallëve dhe lutemi që kujtimi i tij qoftë i përjetshëm. Ne do të jemi edhe në ceremoninë e varrimit. Unë e kam takuar disa herë. Karakteristika e tij ishte thjeshtësia dhe përpjekja për të ndihmuar njerëzit në nevojë për të kujtuar edhe mision e kishës, e cila duhet që të përpiqet që të ndihmojë njerëzit në nevojë dhe ky ishte një kontribut shumë i rëndësishëm i tij në botën e sotme”,– tha ai.