Homazhet në nderim të gazetarit të njohur Enrik Mehmeti, i cili u nda nga jeta parakohshëm në një aksident tragjik, kanë bërë bashkë familjarë, kolegë, miq dhe personalitete të larta publike.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, ka shprehur ngushëllimet më të thella dhe ka vlerësuar figurën e gazetarit si një model të rrallë njerëzor dhe profesional.

Në fjalën e tij Shehu u ndal veçanërisht te forca e kolegëve të medias që, pavarësisht dhimbjes, vazhdojnë misionin e tyre, ndërsa e cilësoi ikjen e Mehmetit si një humbje të dyfishtë për qytetin e Vlorës.

“Në radhë të parë dua të shpreh respektin e madh për ju që pavarësisht dhimbjes së madhe për kolegun, ju gjetët forcë dhe po vazhdoni të kryeni me devotshmëri, me seriozitet punën tuaj. Humbja e Enrikut ishte në radhë të parë një dhimbje dhe një humbje jashtëzakonisht e thellë për familjen e tij, por dua të them që ishte një humbje e dyfishtë për Vlorën. Në radhë të parë ishte humbja e një njeriu i cili ishte simboli i punës, simboli i sakrificave, simboli i përkushtimit gjatë gjithë këtyre viteve të pakta jete, por dhe simboli i punës të veçantë të një gazetari, mbase nuk gaboj të them, një gazetari të lindur, një njeriu të respektuar.

Që mbas marrjes së detyrës si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, unë kam patur fatin që Enrikun ta kem bashkëudhëtar të punës time dhe mendoj që të më lejoni që të shpreh dhimbjen time të dyfishtë, në radhë të parë atë që thashë, dhimbjen njerëzore, por dhe humbjen e një njeriu që kishte një nivel të lartë profesional në të gjitha drejtimet. Mund të them që humbëm të gjithë një njeri i cili kishte në thelb përkushtimin më të madh, atë që duhet të ketë gjithsecili nga ne, përkushtimin për t’u bërë krah njëri-tjetrit për të qenë të bashkuar.

Ai gjatë gjithë këtyre viteve u mundua të japë mesazhin e madh, atë çka gjithsecili nga ne duhet ta vlerësojë dhe duhet ta zbatojë. Duhet të përkrahim njëri-tjetrin. Jeta është shumë e shkurtër për të qenë të ndarë. Ne jemi shumë pak për të qenë të përçarë. Në qoftë se do të bashkohemi, do të jemi vlerë për njëri-tjetrin, do të jemi vlerë për vendin tonë dhe besoj se kështu do të ecim përpara. Ju falenderoj shumë, respektet më të veçanta për ju”, u shpreh ai.

Ikja e parakohshme e kolegut Enrik Mehmeti është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë, ku ai shquhej për profesionalizmin dhe raportimet korrekte nga terreni. Gazetari la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.
Enrik Mehmeti humbi jetën mbrëmjen e 18 korrikut, pas një aksidenti me një motomjet me katër rrota (quad) në zonën bregdetare të Zvërnecit.

Ai dyshohet se humbi kontrollin mbi mjetin, i cili u përmbys duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Pavarësisht faktit se u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ai fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.