Një drejtues Jet Ski është ndëshkuar me 500 mijë lekë gjobë pasi është konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë në një zonë të frekuentuar nga pushuesit në Ksamil.

Rasti është evidentuar gjatë kontrolleve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, në sektorin detar pranë vendit të quajtur “Bar Bistro”. Sipas uniformave blu, mjeti lundrues kishte hyrë në zonën e përcaktuar për sigurinë e pushuesve, duke krijuar rrezik për personat që ndodheshin në plazh.

Pas verifikimeve, mjeti lundrues është bllokuar, ndërsa drejtuesi, shtetasi P. S., është ndëshkuar me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.

Policia njofton se kontrollet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë gjatë sezonit veror, me fokus respektimin e rregullave të lundrimit dhe parandalimin e incidenteve që mund të rrezikojnë pushuesit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lundrimit pranë zonave të plazhit.