Kryepolici pranon se ende nuk e kanë ndaluar mbjelljen e hashashit në fshatin problematik
Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pranon se forcat e policisë ende nuk kanë hyrë në fshatin e Lazaratit, i njohur për kultivimin masiv të hashashit. Në këto ditë të nxehta qershori, banorët vendas, sipas policisë, kanë filluar mbjelljen e kanabisit, madje paguajnë edhe punëtorë të zonave përreth. Si masë parandaluese, policia lokale e Gjirokastrës ka bërë rrethimin e fshatit, duke u munduar që të mos lejojë “punëtorët” e hashashit të hyjnë në këtë fshat. Masat e policisë duken qesharake, pasi në vend që të kontrollojnë fshatin pas dy-tre muajsh, në kohën që bima e hashashit të jetë rritur, ndalojnë punëtorët të shkojnë në fshat. Për këtë fenomen të ri të policisë shqiptare ka folur dje edhe kreu i saj, Hysni Burgaj. Ai tha se forcat që drejton do të hyjnë në këtë fshat, me ndihmën e banorëve. Duket se kjo është një thirrje për personat që kultivojnë hashash në këtë zonë që të shtyjnë edhe disa javë mbjelljen e parcelave, pasi… policia do të ndërhyjë.
“Ne nuk do rreshtim së godituri këtë fenomen. Një ndër qëllimet kryesore dhe prioritetet e policisë është që të parandalojmë që në embrion kultivimin e bimëve narkotike. Së shpejti do të kemi inspektim me avion të gjithë territorit të vendit, për të përcaktuar me koordinata shumë të sakta se ku dhe sa kultivim ka. Në bashkëpunim edhe me komunitetin e Lazaratit ne do të kemi së shpejti ndërhyrje në Lazarat. Është një ndër zonat më problem, ka qenë ndër zonat më me probleme. Por kemi pasur edhe zona të tjera problematike, siç është Shkodra apo Malësia e Krujës”, tha Burgaj nga Gjirokastra.
Kreu i Policisë së Shtetit ka vizituar ditët e fundit qytetet e Gjirokastrës dhe Vlorës, të cilat njihen si baza të trafikut të lëndëve narkotike. Mjafton të kujtosh që brenda disa ditësh në Vlorë janë sekuestruar tonelata me hashash, ndërsa policia ka sekuestruar edhe gomone që kishin si destinacion Italinë. Në këto qarqe Burgaj pohoi se po kryhen kontrolle dhe inspektime të vazhdueshme, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Burgaj u ndal në mënyrë të veçantë dhe u kërkoi strukturave të policisë në Gjirokastër dhe Vlorë për monitorimin e territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Për monitorimin e territorit nga ajri do të bashkëpunohet dhe me policinë italiane në kuadër të marrëveshjes së saponënshkruar mes policive të të dy vendeve.
“I gjithë territori i vendit do të monitorohet gjatë periudhës në vijim nga ajri në bashkëpunim dhe me Misionin Interforce, me qëllim evidentimin e çdo sipërfaqeje ku mund të jenë kultivuar bimë narkotike. Në rast të konstatimit të tyre do të ndërhyhet për asgjësimin e bimëve narkotike dhe do të kryhen të gjitha veprimet për vënien para drejtësisë të autorëve”, tha Burgaj, i cili kërkoi nga policitë e zonave bregdetare të marrin masa për përballimin e sezonit turistik. Ai kërkoi angazhim tepër të lartë nga të gjitha strukturat e policisë për garantimin e një sigurie maksimale për të gjithë turistët, që do të shfrytëzojnë zonat turistike të këtij qarku gjatë gjithë sezonit turistik. “Burgaj kërkoi respektimin e Kodit të Etikës nga të gjithë punonjësit e policisë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve vendas dhe të huaj”, tha Policia e Shtetit.