Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Member”, i cili çoi në kapjen e një shtetasi në kërkim për përfshirje në veprimtari të rënda kriminale.
Në pranga ka rënë Fredi Pali, 36 vjeç, banues në Lezhë. Ai u ndalua në zonën e Ishull Shëngjinit, ku dyshohej se ishte fshehur prej një kohe të gjatë për t’iu shmangur drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Pali ishte shpallur në kërkim në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila më 11 prill 2023 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
36-vjeçari akuzohet për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje veprash penale nga organizata kriminale”.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Pali ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte në fushën e trafikut të narkotikëve dhe dyshohet se ishte i përfshirë në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga kjo veprimtari.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprime të mëtejshme hetimore.