Kryebashkiaku i Vau i Dejës, Kristjan Shkreli, është paraqitur këtë të martë në GJKKO për seancën e radhës gjyqësore lidhur me dosjen hetimore ndaj tij.

SPAK e ka marrë të pandehur Shkrelin, pasi dyshohet se ka ndikuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit duke blerë vota në favor të Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Shkreli ka qenë aktiv gjatë fushatës elektorale në mbështetje të PSD-së, duke përdorur investime në rrjetin energjetik në fshatin Stajkë për të ndikuar tek votuesit e zonës.

Hetuesit dyshojnë se banorëve u është kërkuar mbështetje elektorale në këmbim të përmirësimit të infrastrukturës së energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës.

Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, me urdhër të SPAK, autoritetet sekuestruan edhe telefonin celular të kryebashkiakut si pjesë e hetimeve në vijim.