Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën paraprake ndaj kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, i cili po përballet me akuza për shkelje të procedurave të prokurimit publik.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, seanca e ardhshme është caktuar të zhvillohet më 9 shtator.
Isai nuk është i vetmi i pandehur në këtë dosje. Bashkë me të, SPAK ka dërguar për gjykim edhe 15 persona të tjerë, të cilët akuzohen për përfshirje në të njëjtën çështje.
Hetimet lidhen me procedurën e prokurimit për projektin “Ndërtimi i rrugës Korçë–Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”, për të cilin Prokuroria e Posaçme dyshon se janë shkelur rregullat ligjore gjatë zhvillimit të tenderit.
Sipas SPAK, në listën e të pandehurve përfshihen, përveç kryebashkiakut Erion Isai, edhe ish-nënkryetarja e Bashkisë Kolonjë Eljona Mydini, shtatë ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), gjashtë ish-punonjës të bashkisë, si dhe një punonjëse e kompanisë “A&E Engineering” sh.p.k.
Procesi gjyqësor pritet të vijojë në shtator, kur gjykata do të shqyrtojë ecurinë e mëtejshme të çështjes.
