Ish drejtori i Burgjeve Agim Ismaili është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO), ku mbahet seanca paraprake.
Ai është nën hetim nga SPAK për sulmin kibernetik ndaj institucionit të drejtësisë. Hetimi ndaj Ismailit po zhvillohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sistemi kompjuterik i SPAK u sulmua më 12 mars të vitit të kaluar dhe u zbulua disa ditë më vonë. SPAK bëri me dije më 3 prill se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-ve të prokurorëve të posaçëm. Në njoftim nënvizohej se nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme.
Sipas SPAK, autorët kishin arritur të merrnin disa informacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Sipas njoftimit të SPAK, u tentua të ndërhyhet edhe në email-in e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.


