Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Eralbi Breçanin, djalin e ish-drejtuesit të Policisë, Erzen Breçani.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, trupi gjykues monokratik shqyrtoi çështjen penale nr. 27, të regjistruar më 3 korrik 2026, pas ankimit të bërë nga Breçani kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, datë 15 qershor 2026.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Apeli i Posaçëm vendosi të miratojë vendimin e shkallës së parë dhe të vijojë zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Sipas hetimeve të SPAK, Eralbi Breçani dyshohet se është përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit dhe se në disa raste kjo veprimtari dyshohet të jetë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur gjithashtu dyshime lidhur me disa grupe komunikimi në aplikacione mesazhesh, ku pjesëmarrës është edhe Ervin Mata, kunati i Breçanit. Sipas SPAK, këto komunikime po verifikohen pasi dyshohet se mund të kenë lidhje me veprimtari të kundërligjshme.

Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.