Një 38-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim dhe ishte ndaluar në Itali, është ekstraduar drejt vendit tonë. Mësohet se i ekstraduari është Fadil Tërnova, i cili është i skeduar për disa ngjarje kriminale në vendin tonë. Zyrtarisht ndaj tij, rëndojnë akuzat për 4 vepra penale, ndërsa më herët është dënuar vetëm me 3 vite burg për vrasje.
Në vitin 2024 ndaj tij është caktuar masa arrest në burg në mungesë pasi në aksin “Bulqizë-Tiranë”, tentoi të vrasë me automatik Afrim Petin pas një konflikti verbal me të. Po ashtu ndaj tij rëndon akuza “Goditjet për shkak të detyrës” pasi në 2023 ka ushtruar dhunë ndaj shefit të policisë bashkiake të Bulqizës në bashkëpunim me persona të tjerë. 38-vjeçari rezulton i dënuar dhe në vitin 2018 me 2 muaj burg për mos bindje të Policisë së rendit publik, dënim që rezulton i pashlyer.
Problemet e Tërnovës më drejtësinë datojnë që prej vitit 2009, kur ai u akuzua se plagosi një person në Bulqizë dhe u dënua me 8 muaj burg. Më pas, në vitin 2012, ai u arrestua sërish për plagosje dhe kanosje, megjithatë arriti të lirohej shpejt. Krimi më i rëndë do të ndodhte më 20 prill të vitit 2013, biznesmeni i kromit Shefqet Shehu me Vehap, shkuan në një lokal në qendër të Bulqizës për të vrarë Tërnovën, i cili ishte në tavolinë me vëllain dhe me të afërm të tij. Në një përplasje me armë, i riu vrau biznesmenin Shefqet Shehu të cilin e kishte edhe kushëri, plagosi vëllain e tij, e mbeti dhe vetë i lënduar. Për këtë ngjarje, ai u dënua me 3 vite burg, kohë të cilën e shleu gjatë 2 viteve në paraburgim.
Por kjo nuk është gjithçka, pasi Fadil Tërnova përfshihet në të tjera ngjarje kriminale. Në 2018-ën gjykata i caktoi arrest me burg në mungesë për pengmarrje dhe kanosje për të mos kallëzuar krimin. Këtu nisën disa aksione të gjera policore për ta arrestuar sërish Tërnovën. Forcat RENEA ia dolën vetëm 2 vite më pas, në shkurt të 2020-ës në banesën e tij në fshatin Vajkal, ku edhe iu gjet një pistoletë tip “Glock”. Megjithatë, gjykata e la 38-vjeçarin në arrest shtëpiak. Akuza e ankimoi dhe Apeli i Tiranës tre javë më vonë, më 28 shkurt të 2020-ës, e la në burg. Ky vendim u rrëzua në 2022-shin nga Gjykata e Lartë, e cila rikthye në fuqi arrestin në shtëpi. Tërnova e shfrytëzoi rastin për tu arratisur. Në vitet më vonë, 2023 dhe 2024, Fadil Ternova vijoi me aktivitetin e tij kriminal, duke dhunuar për shkak të detyrës shefin e policisë bashkiake Bulqizë dhe duke tentuar të vrasë me automatik Afrim Petin në rrugën Bulqizë-Tiranë.
Ai do të arrestohej në Itali, nga ku u ekstradua tani për t’u përballur me drejtësisnë shqiptare.
