Gjykata e Elbasanit ka shpallur të pafajshëm Donald Hoxhën, i cili akuzohej si autor i vrasjes së ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi. Hoxha u gjykua pasi u ekstradua ë prill të vitit 2024 nga Anglia. Ai u arrestua në Londër, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje me paramendim”.

“Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të ish-efektivit të policisë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha, i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.833/3 të vitit 2009, prokuroria arriti në përfundimin se shtetasi në fjalë ka kryer veprën penale ‘Vrasja me paramendim’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/a dhe 25 i Kodit Penal ndaj viktimës R.R. ish-efektiv i policisë i vrarë në vitin 2009. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan vijon hetimet në lidhje me zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje”, njofton Prokuroria.

Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.

Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.