Policia shqiptare ka ushtruar kontroll në banesën e prindërve të 45-vjeçarit Dhimitër Meçi, i arrestuar në Greqi si pjesë e një grupi vrasësish me pagesë. Sipas burimeve për Top Channel, gjatë kontrollit në banesë është gjetur vetëm nëna 84-vjeçare e tij, ndërsa dhoma e Dhimitër Meçit është gjetur e mbyllur me çelës.

Gjatë kontrolleve janë gjetur 2 kallashnikovë, 1 pistoletë automatike e mbështjellë me plastmas, dhjetëra fishekë, disa prej të cilëve brenda qeseve me oriz, dhe 5 krehra kallashnikovi. Sipas burimeve, këto armë dyshohet se do të kalonin ilegalisht kufirin për në Greqi.

Foto të armëve të sekuestruara gjatë operacionit, ku duken edhe mbishkrime në shqip si “PUSHK DHELPRA RUSE” apo “TT RUSE”, po qarkullojnë në media. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për armë të sekuestruara në Greqi apo në Shqipëri, pasi nga autoritetet shqiptare nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për shtyp.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se policia greke dyshon se grupi prej 4 shqiptarësh e 4 grekësh ishte përgatitur për kryerjen e një atentati ndaj një mafiozi grek në Pire, ndoshta rreth Krishtlindjeve, ish-bashkëpunëtor i Mihali Zampounit, i ekzekutuar më parë në atentat. Sipas burimeve, ata e kishin ndjekur viktimën e radhës dhe po planifikonin goditjen, ndoshta me një nga armët e gjetura në një apartament në Marina Zeas të Greqisë.

Po ashtu, policia ka zbuluar se i njëjti grup, veç tentativës së vrasjes së Jani Lalës dhe djegies së një karburanti, ishte autor edhe i vjedhjes së një automjeti më 22 korrik 2025, të cilit i kishin vendosur targa false.

Kujtojmë se gjatë operacionit të dy ditëve më parë, ranë në pranga Dhimitër alias Dhimo Meçi, 45 vjeç nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës; Fatjon alias Fatjion Prendi, 39 vjeç nga Lezha; Andrea Brokeri, 32 vjeç nga Himara; dhe u shpall në kërkim Vasil Theohari, 31 vjeç nga Krongji i Finiqit. U identifikuan si pjesë e grupit edhe 4 grekë, disa prej të cilëve u arrestuan.

Njoftimi i policisë:

Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke çoi në zbulimin dhe sekuestrimin të një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak. Sekuestrohen 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra. Armët dhe municioni luftarak u gjetën në një nga banesat e një prej të arrestuarve në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë. Në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.

Si rezultat i kontrollit në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura, në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç, 2 kallashnikovë dhe një armë zjarri automatike, të dyshuar të trafikuar dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm. Armët e zjarrit, që u gjetën në banesën e 45-vjeçarit, i ndaluar 2 ditë më parë në Greqi, mbi akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal që posedonte armë zjarri, do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik.

Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dh. M., 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; A. B., 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; F. P., 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe P. Th., 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.