Policia e Sarandës ka vënë në pranga një 43-vjeçar, në zbatim të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi Klementin Islamaj, banues në fshatin Shalës, bashkia Konispol, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.

Arrestimi lidhet me një ngjarje të rëndë të ndodhur më 10 gusht 2024, brenda familjes Islamaj. Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, 69-vjeçari Hysen Islamaj kishte vrarë bashkëshorten e tij, 66-vjeçaren Shano Islamaj, dhe më pas kishte kanosur e qëlluar edhe ndaj djalit të tij, Klementinit.

Ngjarja pati tronditur zonën, ndërsa hetimet dhe procesi gjyqësor çuan në dënimin e 43-vjeçarit për rolin e tij në rrethanat e konfliktit familjar.

Pas arrestimit, ai është shoqëruar në ambientet e Policisë për kryerjen e procedurave të mëtejshme dhe vuajtjen e dënimit të dhënë nga gjykata.

Nga hetimet e ditës së ngjarjes dhe nga dëshmia e vetë Klementin Islamaj rikujtojmë të ketë thënë:

“Në pjesën e dyshemesë ku ndodhej dhe trupi i nënës time ishte me shumë gjak. Në këtë moment kam parë se në korridor nga kuzhina e banesës erdhi babai im Hysen Islamaj ku, në dorën e djathtë mbante një gotë qelqi të tejdukshëm dhe sapo u ndodh përballë meje, unë i fola, duke i thënë “se çfarë kishte bërë” dhe ai m’u përgjigj: “Se çfarë desha e bëra, tani e keni radhën ju” dhe menjëherë pas këtyre fjalëve, më ka goditur me gotën që mbante në dorë në pjesën e fytyrës dhe hundës, por pa e lëshuar gotën nga dora. Në këtë moment, duke mos parë dhe fëmijët aty, jam trembur se dhe fëmijëve mund t’u kishte ndodhur e njëjta gjë.

Nga ky moment, jam tronditur shumë ku jam munduar t’i shmangem babait, shumë i tronditur nga ajo se çfarë pashë dhe mosgjetja e fëmijës, e kam qëlluar me grushta dhe shkelma babain, por nuk kam përdorur asnjë lloj sendi kur kam goditur babain. Pashë që babai është rrëzuar dhe kishte akoma shenja jete; në moment jam kthjelluar disi ku jam bërë pishman për goditjet e mija ku i kam dhënë dhe ndihmë për ta kthyer trupin me shpinë nga toka duke qenë se ai, kur u rrëzua, ra me brinjë gati përmbys.

Pas kësaj, kam shkuar brenda në shtëpi për të parë nëse nëna ime ishte në jetë apo jo. Kur u afrova tek trupi i nënës, pashë që ajo po jepte frymën e fundit dhe një moment nuk reagoi më. Menjëherë pas kësaj, kam dalë në oborrin e banesës dhe kam thirrur me zë të lartë për njoftimin e ambulancës,” ka dëshmuar mes të tjerave ai.

Edhe tani pas pothuaj 2 vitesh nga ngjarja e rëndë mësohet se 43-vjeçari Klementin Islamaj ndodhet në gjendje shumë të rënduar psikike.