Ilaria Sula, studentja shqiptare 22-vjeçare, e cila ishte zhdukur prej datës 25 mars, u gjet e vdekur mëngjesin e sotëm brenda një valixheje në një zonë pyjore në komunën e Polit (Romë), në fund të një shkëmbi.
Policia italiane ka arrestuar ish-të dashurin e saj Marc Samson, ndërsa hetimet për shkakun e vrasjes janë fokusuar tek fundi i lidhjes së 22-vjeçares dhe partnerit filipinas.
22-vjeçarja kishte disa vite që jetonte në Romë dhe ndante një apartament me disa shoqe. Kur Ilaria doli nga shtëpia e saj në lagjen San Lorenzo të martën dhe nuk u kthye më, miqtë e saj u alarmuan dhe njoftuan prindërit e viktimës, të cilët denoncuan zhdukjen në polici, ndërsa ditën e sotme u zbulua fati i saj tragjik.
“Menjëherë e kuptova që diçka nuk shkonte. Komunikonim me videocall dhe nuk dërgonte mesazhe. Më pas fola me miqtë e saj që jetonin me të dhe së bashku me bashkëshortin vendosëm të denoncojmë menjëherë zhdukjen e saj. Hetimet çuan menjëherë te djali me të cilin Ilaria ka pasur një lidhje në të kaluarën, por ne dimë pak për të”, deklaroi nëna e viktimës, Gëzime Sula.
Ilaria emigroi nga Shqipëria në Terni kur ishte fëmijë së bashku prindërit e saj të cilët nisën një jetë të re në provincën Umbrian. Nëna e saj punon si pastruese ndërsa i ati në një kompani ndërtimi. Familja jeton në një pallat pranë stadiumit Liberati. Para se të shkonte të jetonte në Romë, Ilaria ndoqi me sukses shkollën e mesme Angeloni, në degën Ekonomi dhe shkenca sociale.
Sapo u diplomua, vendosi të regjistrohej në Universitetin “La Sapienza” për të vazhduar studimet në Fakultetin e Shkencave Statistikore.


