Një 22-vjeçar shqiptar, i dëbuar më herët nga Britania e Madhe për drogë, është rikthyer ilegalisht në vend për të ngritur një tjetër “fabrikë” kanabisi me vlerë deri në 200 mijë paund, por aventura e tij përfundoi sërish me pranga.

Redis Shahini ishte deportuar në vitin 2024 pasi kishte vuajtur gjysmën e një dënimi 12-mujor për prodhim kanabisi. Por vetëm pak muaj më vonë, ai arriti të futej sërish në territorin britanik, duke shkelur urdhrin e dëbimit.

Fillimisht, Shahini kishte hyrë në Britani me një gomone në vitin 2023 dhe kishte aplikuar për azil. Pasi kërkesa iu refuzua, ai u përfshi në kultivimin e kanabisit për përfitime financiare, raportojnë mediat britanike.

Policia e Uellsit e arrestoi në Ystalyfera, South Wales, ku drejtonte një fermë kanabisi, çka çoi në dëbimin e tij.

Por rikthimi i tij ilegal këtë herë kishte si destinacion qytetin e Nottingham.

Pamjet e kamerave trupore tregojnë momentin kur oficerët bastisën banesën në Manesty Crescent, në zonën Clifton.

Shahini tentoi të arratisej duke vrapuar nga dera e pasme dhe duke kapërcyer gardhet e shtëpive fqinje, por u neutralizua pas një ndjekjeje të shkurtër.

Brenda banesës dykatëshe, policia zbuloi 263 bimë kanabisi të kultivuara në tre kate të pronës, me një vlerë në treg që mund të arrinte deri në 200 mijë paund.

Në Nottingham Crown Court, 22-vjeçari pranoi fajësinë për prodhim të një droge të klasit B dhe për hyrje të paligjshme në Britani në shkelje të urdhrit të dëbimit.

Ai u dënua me 22 muaj burg dhe do të rekomandohet për dëbim sapo të përfundojë dënimin.

Policia e Nottinghamshire theksoi se operacione të tilla shmangin jo vetëm përfitime të mëdha kriminale, por edhe rreziqe serioze për komunitetin, pasi fermat e drogës shpesh kthehen në vatër zjarri dhe magnet për grabitje.