Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 13 vite burg për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe skllavërimit/nënshtrimit.

Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “FAST”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pas shkëmbimit të informacioneve mes FAST Albania dhe FAST Italy.

Në pranga ra Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor nga shërbimet e Sektorit për Kërkimin “FAST Albania”, në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Apelit e Napolit e ka dënuar Nikollin në nëntor të vitit 2021 me 13 vjet burgim për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.

Nga të dhënat e autoriteteve italiane rezulton se 48-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion gra të futura në mënyrë të paligjshme në Itali. Ai dyshohet gjithashtu se ushtronte dhunë ndaj viktimave për t’i mbajtur nën kontroll dhe për të maksimizuar fitimet nga aktiviteti kriminal.

Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e Bekim Nikollit drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane