Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ditën e sotme sekuestrimin e pasurive me vlerë 875,000 euro, në pronësi të Paris Prengës. Sipas policisë, pasuritë e sekuestruara janë 2 garazhe, 1 apartament, 1 sipërfaqe truall dhe 1 subjekt tregtar, që ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit ose të familjarëve të tij.

Prenga është dënuar për disa vepra penale, si vrasje dhe për pjesëmarrje në grupe kriminale. Konkretisht ai është dënuar me 19 vite burgim për atentatin në tentativë ndaj Artion Bylykut, kunati i Domart Konjarit. Ky i fundit njihet si kundërshtari i Devi Kasmit.

Sipas njoftimit, nga hetimet ka rezultuar se Prenga ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se pasuritë e tij të paluajtshme i ka fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale ku ka marrë edhe dënimin përkatës.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Asset lock”.

Sekuestrohen pasuri me vlerë 875 000 euro, në pronësi të një 32-vjeçari që aktualisht po vuan dënimin, për vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në grup kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan në kuadër të operacionit “Asset lock”, vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e 5 pasurive në pronësi të shtetasit P. P., 32 vjeç, i cili aktualisht po vuan dënimin, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Pasuritë e sekuestruara, konkretisht: 2 garazhe, 1 apartament, 1 sipërfaqe truall dhe 1 subjekt tregtar ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit ose të familjarëve të tij. Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.