Një 60-vjeçar shqiptar, i kërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare për një vrasje të ndodhur në fund të vitit 1999, është lokalizuar dhe arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në pranga ka rënë Sabri Sopoti, ndaj të cilit Gjykata e Dibrës ka dhënë një vendim të formës së prerë me 24 vite burg. Ai është dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Kapja e tij u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, të cilat shkëmbyen informacion operacional që çoi në lokalizimin dhe arrestimin e të shumëkërkuarit në territorin britanik.
Sipas dosjes hetimore, Sabri Sopoti akuzohet se më 24 dhjetor 1999 ka ekzekutuar me armë automatike shtetasin me iniciale B.K., ngjarje për të cilën u dënua më pas nga drejtësia shqiptare.
Pas arrestimit, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për kthimin e tij në vend. Interpol Tirana është në koordinim me homologët në Manchester për të finalizuar ekstradimin e 60-vjeçarit, i cili do të vuajë në Shqipëri dënimin e mbetur sipas vendimit të gjykatës.
