Një 37-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia në fshatin Pishkash, në zonën e Elbasan, pasi ishte dënuar me mbi 9 vite burg për vepra të rënda penale të lidhura me narkotikët.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në pranga ka rënë shtetasi Valmir Polisi, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe për prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Autoritetet bëjnë me dije se 37-vjeçari ishte fshehur në një zonë të thellë të fshatit Pishkash. Në momentin që ka vënë re praninë e efektivëve të policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe arrestuar pas ndërhyrjes së forcave të rendit.

Vendimi i GJKKO e kishte dënuar Policin me 9 vjet e 4 muaj burgim për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet, 7 muaj e 18 ditë burg.

Pas arrestimit, 37-vjeçari do t’i dorëzohet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për vijimin e procedurave dhe vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit.