Policia e Shtetit ka arrestuar në Borsh të Vlorës të shumëkërkuarin Moisi Habilaj, i dënuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, pas një pune intensive hetimore dhe përdorimit të metodave speciale për lokalizimin e tij.
Sipas policisë, 48-vjeçari, banues në Babicë të Vogël të Vlorës, ishte dënuar nga Gjykata e Katanias në Itali me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burg. Gjithashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar në vitin 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për veprat penale të trafikimit të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Gjatë operacionit, policia arrestoi në flagrancë edhe shtetasin E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa shtetasi italian S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa pritet nisja e procedurave për ekstradimin e Moisi Habilajt drejt Italisë.
