Në orët e para të mëngjesit, Forcat Operacionale ndërmorën një kontroll të papritur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, ku morën pjesë mbi 250 efektivë të sigurisë. Objektivi i këtij operacioni ishte verifikimi i të burgosurve me rrezikshmëri të lartë, mes tyre edhe Indrit Shaqja i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të trefishtë dhe i dyshuar për përfshirje në një tjetër krim brenda qelive.
Gjatë kontrollit, në qelinë e Shaqjas u gjet një aparat celular i modelit të fundit iPhone 16 që dyshohet se përdorej për komunikime të paligjshme jashtë burgut. Kjo nuk është hera e parë që autoritetet zbulojnë pajisje të ndaluara në posedim të tij. Në një aksion të ngjashëm në dhjetor 2024, Shaqja ishte kapur me një tjetër telefon, si dhe një predhë që i përkiste armës së përdorur në vrasjen e Arben Lleshit, krim që ndodhi po brenda këtij burgu.
Shaqja është ndër emrat më famëkeq të botës së krimit në Shqipëri. Ai u arrestua në Barcelonë në vitin 2014, pak kohë pasi kreu një nga krimet më të rënda që tronditi opinionin publik: vrasjen e dy të moshuarave, Elsa dhe Gjinovefa Vava, në qytetin e Durrësit. Gjatë një tentative për grabitje në banesën e tyre, Shaqja u përball me rezistencën e viktimave dhe reagoi me dhunë brutale, duke i mbytur me qese plastike.
Por emri i Shaqjas u përfshi sërish në kronikat e zeza në dhjetor 2024, pas ekzekutimit të të dënuarit Arben Lleshi brenda qelive të Burgut të Peqinit. Autori i vrasjes ishte një tjetër i burgosur i rrezikshëm, Sokol Mjaçaj, i njohur për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Menjëherë pas aktit makabër, Mjaçaj tentoi të merrte peng familjarë të të burgosurve të tjerë dhe gardianë në ambientet e takimeve, por pas disa orësh negociatash me drejtuesit e burgut, vendosi të vetëdorëzohej.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa dyshohet se vrasja e Lleshit mund të jetë urdhëruar nga jashtë qelive, ndoshta si pjesë e një zinxhiri gjakmarrjesh, ku nuk përjashtohet as emri i familjes Hoxha. Autoritetet po analizojnë në detaje materialet e sekuestruara gjatë aksionit, për të zbardhur jo vetëm përdorimin e celularëve nga të dënuarit, por edhe rrjetet e mundshme të komunikimit dhe organizimit të krimeve që zhvillohen edhe brenda sistemit të burgjeve.